SHPERNDAJ

Në krah të OZN-as (Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit) jugosllave, sigurisht pa asnjë prani pushtuesi nazist, forcat e divizionit të 5-të “nacionalçlirimtar” dhanë kontribut themelor në masakrimin e popullsisë shqiptare të atyre trevave dhe në vendosjen e sigurt të pushtetit jugosllav. “Të vëllazëruar” dhe me portretet e shokut Tito, “mikut më të madh të popullit shqiptar”, komunistët partizanë nga Shqipëria, por kryenin një prej tradhtive më të mëdha kundër vëllezërve të tyre në hapësirën e shtetit jugosllav. Nuk ka asnjë rrethanë ligjëruese për këtë veprime të këtyre njësive në trojet shqiptare të pushtuara nga armiku më i madh i shqiptarëve, armik me të cilin këta ishin “vëllazëruar”. Në raportin e komandantit të divizionit nënkolonel Hito Çako, ndër të tjera thuhet:
“Gjendja e reaksionit. Këtë muaj është bërë më e zezë. Ndjekjet që kanë bërë forcat tona së bashku me forcat jugosllave dhanë rezultat vrasjen e Nefail Kërçovës vetë i pestë, kriminel me famë dhe reaksionar me një farë influence në pjesën shqiptare. Të tjerëve u janë prishur bazat nga ndjekja dhe nga fitorja e Frontit në zgjedhje, prandaj të demoralizuar dhe pa asnjë perspektivë kanë filluar të dorëzohen te forcat tona dhe OZN-a e vendit. Kanë ngelë me rëndësi vetëm 6 vetë nën komandën e Hamza Lumës, po edhe këtu qëndrojnë në pasivitet për sa i përket punës politike dhe ushtarake në dëm të Frontit”.
Nuk e di si mund t’i duken këto informacione, “patriotit” të madh z.Pëllumb Xhufi që qimen në dokumentin e CIA-s e sheh edhe në hënë, por traun jugosllav të vetes nuk arrin ta shquajë ndonjëherë.
Kastriot Dervishi