SHPERNDAJ
Jozef Radi

Diktatura nuk ndjehet e kënaqur vetëm me individin e ndëshkuar. Ajo shtyn drejt së keqes si një ortek familjen, fisin e gjithë klanin. Aq sa shpesh dëgjohej shprehja stereotipe e kësaj fryme: 
“Ke pasë gjyshin, babanë, nënën, vëllanë, djalin… armik, ballist, kulak, agjent, imoral… e me rradhë. 
Më pas kalohesh në shkallën e dytë: “Ke pasë dajën, xhaxhanë, hallën, tezen, nipin, mbesën me gjithë derivatët fisnorë… armik, ballist, kulak, agjent, imoral… 
Si të mos mjaftonin këto ndëshkimi shtyhesh edhe në shkallë edhe më të largëta; “Ke pasë kushërin, shokun, krushkun, mikun, komshiun, të dashurën… armik, ballist, kulak, agjent, imoral… 
Nga ky progresion gjeometrik e i frikshëm i armiqësisë së shpikur, e keqja shpërndahesh në çdo qelizë të shoqërisë, ku pjesa më negative e saj, merrte atributet e devotshmërisë, komisarit dhe heroit të pushtetit. Kjo bëhej edhe më e rëndë po të merret parasysh fakti, që si popull, mbas lufte nuk kishim qenë më shumë se një milion banorë, e ku në organizim klanor, mund të thuhej se të gjithë i njihnin të gjithë…

Terminologjia e Armikut të popullit
Armiku i Popullit ishte domosdoshmëri, ai duhej të ishte i pranishëm në çdo hallkë të shoqërisë, e askush s’kishte imunitet ndaj Armikut të Popullit.
Edhe në pozitat me të larta e më të sigurta, aty ku partia kishte njerëzit e saj më besnikë e të besimit fanatik, edhe aty duhej të ishte e pranishme ideja e “Armikut të popullit”.
Dhe nuk mjaftonte thjesht termi, i cili mbas ca kohe bëhej një rotativ i rëndomtë. Ai duhej të pasurohej në vazhdimësi me një terminologji sa më të larmishme, shpesh edhe me ngjyrosje poetike!

Në fazën parapërgaditore të marrjes së pushtetit ndaj “armikut” u përdor terminologjia që lidhej me luftën e ku shprehjet: tradhëtarë, mercenarë, kolaboracionistë, të shitur, ballistë, nazistë, zogistë, nacionalistë, kuislingë, etjerë, zunë bazën e komunikimit publik. 
Në fazën e dytë u ruajt ajo terminologji e fillimit, po duke u pasuruar me të ndëshkuarit e pasluftës duke i ngjyrosur ata gjithnjë e më negativisht, si: bajraktarw, latifondistë, pasanikë, gjarpërinj, shushunja, borgjezë, gjakpirës, aristokratë, të rënë nga vakti, bajraktarë, kriminelë, klerikë të zinj.
Në fazën e tretë u futën ngjyrosjet politike që filluan të dëshmonin edhe mardhëniet e acaruara mes kampit komunist ku gëluan terma si: caristë, titistë, revizionistë, sektaristë, hrushovjanë, agjentë imperialistë, trockistë, oportunistë, sabotatorë, që u bënë refrene edhe të shtypit e gjuhës publike.
Një terminologji e pasur u përdor edhe në fazën që lidhej me mardhëniet në fshat e ku kryefjalë u bë koncept sovjetik: kulakë, i ndjekur nga qehajaj, çifligarë, latifondistë, barkderra. 
Në faza të mëvona të luftës klasore terminologjia erdh duke ngjeshur në emërtime të reja si: konservatorë, borgjezë, liberalë, skorje, oportunistë, revanshistë, poliagjentë, rrufjanë politikë, burokratë.
Diktatura s’la mbas dore as marrdhëniet me veshjet, sjelljet qytetare, modën apo shfaqjet e huaja që u shoqëruan me termat: parazitë, skorje, imoralë, gagarelë, leshgjatë, kaubojsa, huliganë…

E gjej me vend, të dëshmoj edhe disa grimca historish, në të cilat tendenca për të shpëtuar nga paracaktimi i fatit e shtynte njeriun të besonte se duke mos u epur mund të gjente një shteg shpëtimi.

Falenderoj studiesin dhe mikun tim Albert Gjoka per regjistrimin e fjales sime ne konference…