SHPERNDAJ

Sipas faqes së specializuar të merkatos, “Transfermarkt”, vlera e Kategorisë Superiore është rritur në afro 47 milionë euro. Rritja lidhet me periudhën prej 1 shtatorit të kaluar, momenti kur merkato botërore u mbyll dhe në futbollin shqiptar po bëheshin përgatitjet finale për të nisur sezonin, e deri në fund të dhjetorit.

Edicioni në Shqipëri nisi me skuadrat që në total vlerësoheshin diçka më tepër se 39,6 milionë euro në merkato, ndërsa vlera aktuale ka arritur shifrën e rreth 47 milionë euro, duke njohur rritje me 18,5 për qind.

Skuadra më e kushtueshme në Shqipëri është Skënderbeu, që pas dominimit në kampionat dhe pjesëmarrjes në grupet e Europa League tashmë vlen mbi 7,5 milionë euro, duke njohur rritje në vlerën e afro 1,5 milionë eurove.

Korçarët ndiqen nga rivalët e Partizanit, që pavarësisht rënies së vlerës në masën 14 përqind, mbeten skuadra e dytë më e shtrenjtë e Kategorisë Superiore, të ndjekur nga Flamurtari dhe Kukësi që falë rritjeve kaluan murin e 5 milionë euro.

Sa u takon skuadrave të tjera, falë ecurisë jashtë parashikimeve, duke i befasuar të gjithë ekspertët, rritjet më të mëdha i kanë njohur Kamza me 74 % dhe Laçi në kuotën 51 %. Sezoni zhgënjyes i Vllaznisë bën që shkodranët, ashtu si edhe Partizanit, të jenë skuadrat e vetme që kanë pësuar rënie të vlerës së ekipit.

Ndërsa ringjallja e Lushnjës në fillim të dhjetorit ka bërë që vlera e skuadrës të njohë rritje rekord me 123 %, edhe pse duhet theksuar se ekipi i drejtuar nga Hysen Dedja është i vetmi në elitën e futbollit shqiptar, vlera e të cilit përllogaritet nën 3 milionë euro.