SHPERNDAJ

Komedia “Lajzëlota”
Ledio Lako, Xheni Hallulli dhe Alban Prodani çmendin Korçën me të qeshura
Nga Vepror Hasani

Më në fund shfaqja përfundoi. Spektatorët u çuan të gjithë në këmbë. Duartrokitjet ishin pa fund.Falenderimet gjithashtu: Faleminderit Ledio Lako! Faleminderit Xheni Hallulli! Faleminderit Alban Prodani! (Renditja e emrave është e autoritë të shkrimit). Ata ishin njësha të tre. Shkëlqyen me interpretimet e tyre. Njerëzit qeshnin dhe nuk pushonin dot. Ishin qeshje me lot. Kishte nga ata që thane: “Më shumë se sot nuk kemi qeshur ndonjëherë”. Regjisori Guri Koço kishte llogaritur mjeshtërisht çdo detaj. Ndërsa shaqja mbyllej, befas në skenë vinte një tufë me lule që dukej sikur zbriste nga parajsa. (Pse ndodhte kështu do t’jua themi më vonë). Tufa e luleve mbartte surprizën e vet. Ato i kalonin si dhuratë spektatorit që e kishte ndjekur shfaqjen me dashuri dhe kureshtje. Askush prej tyre nuk donte të largohej nga salla. Për rreth 20 minuta qëndruan të gjithë bashkë. Gjithkush donte t’i takonte aktorët, të shkëmbente dy fjalë me ta, t’u shpehnin mirënjohjen e t’u thoshin se në Korçë ishin gjithnjë të mirëpritur

Janë të mrekullueshëm!
Për komedinë “Lajzëlota”, me regji të aktorit dhe regjisorit Guri Koço, kishte nisur të flitej që nga çastet kur bëheshin prova. Për treshen e aktorëve kishte vetëm një vlerësim: “Janë të mrekullueshëm”… “zgjidhja regjisoriale është e përkryer”… “në këtë komedi gjithkush e sheh veten në peripecitë e ngjashme me ato që përjeton Lajzëlota, por asgjë nuk duhet marrë me dëshpërim, sepse të qeshurat e mbajnë gjallë njeriun…”. Kjo ishte dhe arsyeja që natën e konkurimit të “Lajzëlotës” u shitën të gjitha biletat. Kishte edhe nga ata që qëndruan në këmbë. Për vende të lira nuk bëhej fjalë. Komedia kishte 7 personazhe. Një vajzë dhe 6 burra, por shfaqja luhej vetëm nga tre aktorë. Ledio Lako luante rolin e tre burrave, por edhe rolin e “vdekjes”, sepse edhe vdekja ishte konceptuar si burrë. Tre role luante dhe i mirënjohuri Alban Prodani. Regjisori Guri Koço shpjegon: “Në skenë vijnë gjashtë burra me karakteristika të ndryshme psikofizike dhe të gjashtë burrat vdesin në skenë, shfaqja ndodh brenda hapësirës kohore të një muaji. Burri i parë u mbyt me peshk, të dytit i pushoi zemra, i treti vrau veten me pistoletë, të katërtin e zuri korenti, i pesti u hodh nga ballkoni, të gjashtin, një memec që gjeti, u vra me thikë. I shtati ishte burri-vdekje që e erdhi dhe e mori, dhe e ngjiti lart në parajsë. Në fund vinte një buqetë me lule si respekt për ndjesitë dhe qëllimet e kësaj vajze”. Megjithse Lako dhe Prodani luanin nga tre role burrash, ata ishin kaq të ndryshëm nga roli në rol, sa edhe sikur tëdoje të gjeje ngjashmëri ishte e pamundur. Rolet e tyre ishin njëri më i bukur se tjetri. Spektatori vetëm qeshte.

Lajzëlota
Regjisori Guri Koço na jep një përshkrim të subjektit: “Një vajzë rreth të 35-ve, për shkak të rrethanave jetësore, sepse ishte infermiere, u dha mbas një plake që i shërbeu dhe i kaloi mosha pa gjetur dot një shok jete”. Në monologuan e saj, ajo thotë: “Neve vërtet na ka kaluar mosha, por ne mund të gjejmë një shok, një mik qoftë edhe 35 vjeç me anë të njohjeve që kemi, sepse nekemi filluar të shfaqim sjellje të tilla të patolerueshme, që tani nuk ua falim për hir të dashurisë së njëri-tjetrit dhe të pasionit, por nën moton “ne jemi bashkë sepse kjo gjë është praktike”, Pra, kjo vajzë kërkon të gjejë një shok jete nëpërmjet njohjes”.Këtu fillon edhe komedia. “Lajzëlota” është një komedi e zezë, por regjisori Guri Koço e ka eleminuar anën e zezë të saj me anë të animacionit. Finalet tragjike të skenave dhe personazheve vijnë të animuara për të mos ndikuar psikologjikisht te spektatori. Vdekja e personazheve nuk jepet në skenë, vjen me animacion, sepse nëse do të ndikonte te shikuesi, këtij të fundit do t’i duhej një farë kohe për të marrë veten që të kalonte sërish në gjendjen e humorit, ndryshe do ta kishin të pamundur të shpërthenin në falenderime: Faleminderit Ledio Lako! Faleminderit Xheni Hallulli, faleminderit që jeni edhe kaq e këndshme në lojën tuaj aktoriale! Faleminderit Alban Prodani, jeni gjithnjë i mrekullueshëm! Mbyllja e shfaqjes kishte një surprizë për spektatorin.Tufa me lule që vinte pej qiellit i hidhej publikut. Ky çast krijoi një atmosferë shumë të bukur Ndihem krenar që mora çmimin e publikut, – na thotë regjisori Guri Koço. krenar për këtë se vërtet e ndejva që mora çmimin e publikut. Shfaqja u dha dhe dy hërë të tjera dhe është në vazhdim, do të shkojmë në Gjirokastër dhe në Tiranë. Jam i kënaqur nga loja e aktorëve, por me këtë rast doja të veçoja Ledio Lako, por pa harruar që kjo treshe ishte e mrekullueshme. Kjo ishte shfaqja që çmendi Korçën

KoKo Fest
Komedia “Lajzëlota” u shfaq në “Korça Komedi Festival”, i quajtur ndryshe “KoKo Fest” i cili është një nga festivalet më të bukura të Teatrit që bëhen në Shqipëri. Zanafilla e tij është më e hershmë, por që prej 5 vitesh njihet me emrin KoKo Fest ku marrin pjesë trupat teatrore të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë etj. Ky ishte viti i 5-të i Festivalit, i cili përfundoi me sukses. Morën pjesë teatri i Korçës, teatri Kombëtar me ‘Vetëvrasësin”, Fieri me “Një dyzinë me trendafila”, Korça me “Lajzëlota”, Durrësi me “Ai shkoi për dreq”, dhe Teatri Eksperimental me “Darka e Lamtumirës”. Pjesëmarrës në këtë fëstival ishte edhe teatri i Maqedonisë Roberto Zuko, por ky i fundit u skualifikua. Përgjatë datave 1-8 shtator u dhanë 7 shfaqje komedi.Guri Koço ka një përvojë 22-vjeçare si regjisor, ka vënë në skenë 30 vepra dhe ka marrë çmime të para me Aleko Prodanin, me Zamira Kitën etj. Një përkufizim mjaft domethënës, për punën e regjisorit Guri Koço jep aktori i humorit Arben dervishi: “Kur Korça, s’kishte as pedonale dhe asPazar, njerëzit kënaqesin me komeditë që vinte Guri Koço”.
Në projektet e ardhshme Guri Koço ka një komedi,por pa na rrëfyer cila komedi do të jetë, sepse dëshiron ta lërë surprise. Megjithatë ai siguron artdashësin korçar se do të jetë një komedi e mrekullueshme. “Edhe një herë falemindërit treshës së aktorëve që realizuan komedinë “Lajzëlota”, thekson së fundi, aktori dhe regjisori Guri Koço.