SHPERNDAJ

Ekrem Spahiu

Sot mbushen 17 vite (23.10.2002 – 2019) që ka ndërruar jetë Nëna Mbretëreshë Geraldinë, në moshën 87 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë të mushkërive.

Kam patur fatin e madhe që e kam njohur nga afër që në Johannesburgun e largët dhe deri sa mbylli sytë në Tiranë. Me sinqeritetin tim më të plotë, them se është personi më i veçantë që kam takuar në jetën time, duke më lënë mbresa të jashtëzakonshme për dashurinë njerëzore që kishte ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, që i deshi me zemër dhe i respektoi gjithë jetën.

Kontesha Geraldinë, jo thjeshtë si Mbretëreshë por me dashurinë, bukurinë dhe humanizmin e saj, u shndërrua shumë shpejt në një figurë e dashur dhe simbol për popullin shqiptar.

Gjatë periudhës njëvjeçare të mbretërimit dhe 63 vitet në mërgim të detyruar, Ajo i kushtoi gjithë kohën, lutjet dhe shpresat vetëm për Shqipërinë. Nëna Mbretëreshë Geraldinë donte ta shihte përsëri këtë vend dhe më thoshte sa herë që e takoja, “Ahh biri im, Shqipnia është vendi im dhe i tim shoqi – Mbretit Zog. Unë jetoj në çdo moment me Shqipërinë se më ka dhënë këtë emër, të cilin e ruaj si thesarin më të madh të jetës time. Unë i lutem zotit që të më japë jetë deri sa të kthehem në Shqipëri e të vdes atje si një shqiptare dhe në mesin e popullit shqiptar”.

Zoti ia realizoi këtë lutje dhe më 22 qershor 2002, Ajo dhe e gjithë Familja Mbretërore u kthyen në Atdhe. E emocionuar shumë edhe nga pritja madhështore në Rinas dhe përgjatë gjithë rrugës deri në Tiranë, sapo mbërriti në rezidencën ku u akomodua Familja Mbretërore, si besimtare e devotshme që ishte, duke j’u lutur zotit të gjithëpushtetshëm, tha “… tani jam e qetë …”.

Kthimi i Familjes Mbretërore në atdhe ishte dhe një mesazh fisnik për shqiptarët, se është e mundur ta duash atdheun tënd edhe kur ai është i varfër dhe e vështirë që të jetohet.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Nënën Mbretëreshë Geraldinë.