SHPERNDAJ

Milan ka kaluar me shumë vuajtje në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Kuqezinjtë kanë fituar 1-0 në kohën shtesë në derbi ndaj Inter, një gol i ardhur në minutën e 104-t nga Cutrone. Koha e rregullt është mbyllur në barazim pa gola, edhe pse ndeshja ka pasur një ritëm të kënaqshëm, madje edhe me shumë raste për të shënuar. Kështu, Milan i pason krizën Inter-it, teksa në gjysmëfinale të Kupës së Italisë do të ndeshet me Lazio-n, që fitoi ndaj Fiorentina-s një natë më parë.

Ndeshja ka nisur me ritëm të lartë, e denjë për një sfidë derbi. Në minutat e parë është Milan që përpiqet të krijojë më shumë volum loje, por mungojnë goditjet drejt porte. Inter hyn në lojë me kalimin e minutave, madje zikaltrit kanë kaluar në avantazh në minutën e 25-të me një autogol të Antonio Donnarumma, vëllai i Gigio-s, i cili ka qenë titullar pas dëmtimit të vëllait të tij dhe portierit të dytë Storari. Gjithsesi, VAR ka shkuar në ndihmë të portierit kuqezi, me arbitrin që ka anuluar golin për shkak të një pozicioni jashtë loje të Ranochia-s.

Edhe pas këtij episodi ndeshja ka vijuar me ritëm të lartë, teksa kanë mbajtur në ankth tifozët e pranishëm, në një “San Siro” të mbushur plot e përplot. Pjesa e dytë nis njësoj, të dyja skuadrat krijojnë volum loje dhe kishte kohë që nuk shihej një ndeshje me një ritëm të tillë në Itali. Milan ka goditur edhe traversën, ndërsa Perisiç gabon i vetëm para portës, duke gjuajtur mbi portë. Edhe Candreva nuk përfiton në fund. Mbyllet pa gola e gjithë ndeshja, për pasojë, shkon në shtesë.

Në 15 minutat e para të shtesës duken zikaltrit më kërkues. Por pikërisht kur po mendohej të shënonte Inter, ndodh e kundërta. Suso jep një kros në zonë dhe aty Cutrone ndëshkon Handanoviç. 1-0 për Milan dhe kuqezinjtë janë të karikuar në 15 minutat e fundit. Milan mund të kishte mbyllur ndeshjen më parë, por gabon. Në fund Inter mundohet me të gjitha mënyrat, por nuk arrin të shënojë. Për pasojë, Milan fiton 1-0 dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës./Konica