SHPERNDAJ

Problemi (në thonjëza), ka qenë se prokuroria dhe policia nuk bashkëpunonin; “i kapim ne por i liron gjykata”, ankohej eremiti Saimir Tahiri. Pra e paimagjinueshme që kur i kap policia, gjykata t’i lirojë, se në logjikën e ktyne, gjykata nuk duhet të jetë për të verifikuar nëse kapja ka qenë e drejtë apo jo – por gjykata vulos drejtësinë e vijës së Partisë.

E çfarë ndodh në ketë situatë?! Që të kemi bashkëpunim nuk mund të ketë dy ose tre pushtete të cilat i japin njeriut më shumë garanci. Duhet vetëm një pushtet dhe asnjë pushtet tjetër për ta penguar apo frenuar.

Ndaj në krye të piramidës vendosim Ministrinë e Brendshme e cila i ka nën tutelë edhe kryeprokurorin, më pas edhe gjyqtarët. Se gjyqtarëve do iu bëhet veting, kurse ministrit, jo, se vetëm gjyqtarët ka gjasa të marrin para e t’ua transferojnë familjarëve, kurse ministri jo, supozohet se as nuk merr para, as ka familjarë.

Në sistemet totalitare, shteti supozohet se ka të drejtë. Nuk gabon shteti. Kurse qytetari, po, supozohet fajtor ndaj duhet t’ia provojë shtetit pafajsinë tij, vazhdimisht. Se qytetari ka prirje për të vjedhur, për t’u pasuruar ose edhe ka prirje për të mbijetuar.

Pushteti totalitar shpall: Të gjithë jeni fajtorë, ndaj të gjithë do të futeni në veting, përveç pushtetit politik.

Kurse në sistemet demokratike të shtetit të drejtë, qytetari supozohet i pafajshëm, kurse shteti supozohet si i prirur për të abuzuar, shtypur, grabitur e për të bërë padrejtësira. Prandaj janë krijuar kushtetutat, kufizimet e pushteteve, ndarja dhe balancimi i tyne.

Mirëpo ne nuk kemi një logjikë të tillë. Jetojnë ende me mentalitet totalitar, pushteti ka të drejtë, se ka forcën.