SHPERNDAJ

Voltiza Duro –

Prej shumë kohësh familja mbretërore në Shqipëri është pranë fëmijëve në nevojë dhe aktualisht po punon me projektin kushtuar vogëlushëve me aftësi të kufizuar. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare“, Princ Leka Zogu II rrëfen mbi jetën e tij, misionin e familjes mbretërore në Shqipëri si dhe marrëdhëniet me bashkëshorten Elia.

Ndër momentet që princi i kujton me nostalgji janë bisedat e fundit me të atin dhe më tej shprehet se do të kishte dashur shumë që nëna e tij të kishte pasur mundësinë të njihej me Elian. Përsa i përket politikës, Princ Leka nuk dëshiron të bëjë komente partiake, por ndihet i shqetësuar mbi vështirësitë ekonomike që po përjeton vendi.

Sipas tij, largimi i mijëra shqiptarëve nga atdheu është një plagë e shoqërisë që po ndan familjet ditë pas dite. Nipi i Mbretit Zog gjithashtu rrëfen se me familjet e tjera mbretërore nëpër botë janë trashëguar marrëdhënie të forta e të konsoliduara e më tej shpreh mirënjohjen për të gjitha qeveritë shqiptare dhe kosovare për mbështetjen e ofruar. Ndërkaq, princi u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që investimin kryesor ta japin në familje, pasi kjo e fundit është esenca e një kombi.

Si është një ditë e zakonshme për ju në oborrin mbretëror, duke përfshirë këtu edhe marrëdhëniet e punës?
Çdo ditë është e ndryshme, varësisht nga angazhimet. Ditët tona janë mjaft aktive, plot me takime, udhëtime dhe mbajtje të korrespondencave. Unë gjithmonë përpiqem të jem për drekë në shtëpi bashkë me Elian. Ndërsa në kohën e lirë kam fatin të kem shumë miq pranë.
Prej sa kohësh jeni angazhuar për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë në Shqipëri? Mund të përmendni disa nga aktivitetet e bamirësisë që keni organizuar?
Faleminderit për pyetjen, pasi kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e aktiviteteve tona. Fondacioni “Mbretëresha Geraldine” ka në fokus fëmijët. Deri tani kemi ndihmuar në rindërtimin e dy shkollave dhe një kopshti në rrethin e Matit. Gjithashtu, kemi restauruar qendrën për fëmijë me aftësi të kufizuara në Shkodër, dhe ndërkohë sapo kemi pajisur me dyer dhe dritare shkollën speciale “Zëra Jete” në qytetin e Elbasanit. Tani jemi në fillim të një tjetër projekti në Vlorë, sërish kushtuar fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Cili është misioni i familjes mbretërore në Shqipëri?
Misioni ynë është të ndihmojmë zhvillimin e kombit në disa aspekte. Kontributi konkret në shoqërinë shqiptare nëpërmjet fondacionit, përmirësimi i imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, mbrojtja e identitetit kombëtar, promovimi i historisë, vlerave dhe kulturës janë shtyllat e rolit të një familjeje mbretërore moderne. Por sigurisht të gjitha këto asete që një familje mbretërore ofron nuk mund të funksionojnë të shkëputura nga një vizion mbarëpolitik.
Ju si pinjolli i monarkisë, a synoni rikthimin e sistemit monarkik në vend? Nëse po, a mendoni se është momenti i duhur për një ndryshim të tillë?
Familja mbretërore do të respektojë kurdoherë vullnetin e popullit. Të jesh princ trashëgimtar apo mbret është një betim dhe dedikim i jetës në shërbim të kombit, jo një post pune. Ndryshimi i sistemit është një vendim i institucioneve ligjore dhe demokratike. Familja mbretërore do të vazhdojë të punojë për të mirën e shqiptarëve nëpërmjet angazhimeve të saj brenda e jashtë vendit. Sfida kryesore e vendeve ku banojnë shqiptarë është integrimi dhe plotësimi i kërkesave e detyrave për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

Si e gjykoni situatën aktuale politike në vend dhe sa të përfshirë e shikoni veten në këtë aspekt?
Nuk dua të bëj komente për politikat partiake, por ajo që më shqetëson më shumë janë problemet lidhur me krimin e organizuar dhe vështirësitë ekonomike që po përjetojnë shqiptarët. Këto janë probleme universale, që nuk i përkasin vetëm një force politike, por kërkojnë vullnetin tonë të përbashkët. Një tjetër plagë e shoqërisë sonë është largimi i mijëra shqiptarëve nga vendi i tyre. Pothuajse çdo familje shqiptare është e ndarë nga të afërmit për këtë shkak. Unë e shoh si prioritet ndjeshmërinë ndaj nevojave të popullit tonë, duke kontribuar me të gjitha mundësitë për rikthimin e shpresës.
Ju keni deklaruar që realizimi i bashkimit kombëtar arrihet nëpërmjet kurorës mbretërore. A mund ta shpjegoni në mënyrë më të detajuar si mund të realizohet?
Unë nuk kam bërë ndonjë deklaratë, pasi ideja e bashkimit kombëtar e ka fillesën qysh nga Mbreti Zog, Mbreti Leka I dhe është qëndrimi i përhershëm i familjes mbretërore ndaj çështjes kombëtare. Ky bashkim mund të realizohet fillimisht vetëm nëpërmjet forcimit institucional të të dyja shteteve, si edhe integrimit të shteteve tona në BE. Familja mbretërore ka promovuar kurdoherë heqjen e barrierave mes shqiptarëve për interesin tonë të përbashkët – forcimin e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë si edhe unifikimin e arsimit, diplomacisë dhe kulturës…
Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Commonwealth janë shembulli më i mirë ku 16 shtete i janë bashkuar kurorës mbretërore. Kjo është një formulë e ngjashme dhe e suksesshme propozuar gjithashtu nga i ndjeri Arbër Xhaferri, i cili ishte nga të fundit vizionarë të rrallë të kombit tonë. Mbretëritë kushtetuese janë gjithashtu vendet më demokratike që njohim. Familjet mbretërore sot nuk bëjnë politikën e vendeve respektive, por garantojnë stabilitetin e institucioneve, garantojnë unitetin kombëtar nëpërmjet promovimit dhe mbrojtjes së traditës, vlerave, kulturës dhe historisë së vendit.


Cili është reagimi i popullit shqiptar ndaj deklaratës suaj?
Mendoj se është e domosdoshme të veprojmë me shumë kujdes dhe larg çdo qëndrimi nacionalist, pasi është e panevojshme që ksenofobia të keqpërdorë mesazhet tona patriotike kundër shtetformimit dhe njohjes së Kosovës.
Sa mund ta mbështesë Bashkimi Europian dhe Shtëpia e Bardhë idenë e bashkimit kombëtar nëpërmjet rikthimit të sistemit monarkik në Shqipëri?
Besoj se në situatën e sotme, BE pret që Shqipëria dhe Kosova të kenë më shumë qëndrueshmëri në plotësimin e kushteve bazë të procesit të integrimit. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Shqipëria të jetë një promovuese e stabilitetit dhe demokracisë në rajon. Një mbretëri kushtetuese do të sillte sigurisht më shumë stabilitet, pasi është një institucion që qëndron mbi partitë politike, duke qenë një faktor real i unitetit kombëtar.
Si paraqiten marrëdhëniet e familjes mbretërore me qeverinë aktuale në vend apo dhe me qeveritë e mëparshme?
Familja mbretërore funksionon brenda një statusi të veçantë, i cili e lejon të bashkëpunojë me çdo qeveri. U jemi mirënjohës qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për mbështetjen që kanë dhënë si në situata të hidhura, ashtu edhe në ato të lumtura që ka përjetuar familja mbretërore gjatë këtyre viteve. Ne jemi të ndërgjegjshëm se pa mbështetjen dinamike të shtetit shqiptar, nuk do kishte qenë i mundur kthimi i familjes mbretërore në atdhe, funerali zyrtar i Mbretit Leka I, kthimi i eshtrave të Mbretit Zog, rindërtimi i Mauzoleumit të Familjes Mbretërore, vendosja e përmendores së Mbretit Zog në bulevardin “Zogu I”, emërtimi i maternitetit “Mbretëresha Geraldine” si edhe dasma jonë mbretërore, që na solli shumë lumturi. Ajo i kaloi kufijtë kombëtarë, duke promovuar së pari atdheun tonë jo vetëm brenda Europës, por në të gjithë kontinentet.
Po me familjet mbretërore të shteteve të tjera?
Marrëdhëniet me familjet mbretërore trashëgohen në breza. Gjyshërit e mi janë takuar në ekzil me të gjitha familjet mbretërore, të cilat vuajtën njësoj si ne pasojat e Luftës së Dytë Botërore. Miqësitë konsolidohen në ditë të vështira, ndaj ne sot trashëgojmë lidhje të forta dhe të stabilizuara. Dasma jonë mirëpriti mbi 20 familje mbretërore, çka dëshmon më së miri për këto miqësi. Përveç këtyre lidhjeve historike, dasma jonë ka ndihmuar shumë për ta prezantuar Shqipërinë tek të gjitha familjet mbretërore duke përfshirë edhe ato që nuk ishin prezente, por që kanë shprehur dëshirën për të njohur më mirë vendin tonë.
Cilat kanë qenë disa nga bisedat që keni realizuar me babain tuaj pak kohë para se të ndërronte jetë? A iu ka lënë ndonjë amanet?
Babai im, Mbreti Leka I, ka pasur një jetë të jashtëzakonshme. Fëmijërinë e kaloi në Angli gjatë Luftës së II Botërore, rininë në Egjipt në Oborrin e Mbretit Faruk, më pas në Francë, Spanjë dhe Afrikë. Im atë zotëronte 7 gjuhë të huaja në mënyrë aktive dhe lexonte me pasion në të gjitha këto gjuhë duke pasur një bibliotekë shumë të pasur e të vyer, që familja jonë e trashëgon. Bisedat tona të fundit ishin për situatën politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe të Kosovës, sigurisht përpara se gjendja e tij shëndetësore të rëndohej më shumë. Im atë ishte tejet i ndjeshëm ndaj problemeve të të tjerëve, jetonte me vuajtjet e tyre. Edhe kur nuk gëzonte më shëndet të mirë, merakosej më shumë për të tjerët. Momentet e fundit që kujtoj me nostalgji ishin bisedat ku fliste për nënën time. Kujtimi i saj na falte të dyve qetësi…
Me cilin nga prindërit keni pasur marrëdhënie më të fortë?
Është e pamundur të krahasoj marrëdhëniet brenda një familjeje. Kam qenë me fat, pasi jam rrethuar me shumë dashuri. Pa diskutim që me kalimin e kohës më mungojnë shumë bisedat me gjyshen time, Mbretëreshën Geraldine. Ajo ka qenë për mua një pasqyrë e jetës së gjyshit tim dhe e vizionit të tij. Gjithashtu do të kisha pasur shumë dëshirë që nëna ime të paktën të ishte njohur me Elian. Jam i bindur që do kishin qenë mikesha bashkë.
Të rikthehemi pak në jetën tuaj personale. Si janë marrëdhëniet me bashkëshorten tuaj, Elia?
Jam i lumtur që kam gjetur dashurinë e jetës sime me Elian. Ajo më kupton si askush tjetër.
Cili është mesazhi juaj ndaj shqiptarëve?
Mesazhi im është investimi tek familja në radhë të parë. Familja është esenca e një kombi. Rikthimi i besimit dhe dashuria ndaj atdheut të jenë kryefjala në zemrën e çdo shqiptari.