SHPERNDAJ

Kastriot Dervishi

Pas rrëzimit të shtatoreve të diktatorit në Tiranë, Korçë dhe Durrës, enveristët organizuan një takim në Gjirokastër. Gjithandej filluan përbetimet për figurën e Enver Hoxhës. Një duzinë telegramesh u nisën drejt Tiranës. Thuajse në çdo qytet ku mbaheshin mitingje, kërkoheshin po ato gjëra. Flitej për rivendosje të shtatoreve dhe busteve, si dhe për emërtimin e shesheve kryesore të qyteteve me emrin e Enver Hoxhës. Në takimin e Gjirokastrës doli më e qartë veprimtaria e të ashtuaquajturve “vullnetarë të Enverit”.

***
Telegrami enverist që iu dretjua Tiranës

U bënë tre ditë që populli i Rrethit të Gjirokastrës po bën manifestime në përkrahje të figurës së ndritur të Enver Hoxhës. Më i madhërishëm nisi ky manifestim sot në orën 10.00 ku mijëra e mijëra qytetarë të Gjirokastrës, krahinave të rrethit, si dhe përfaqësues nga rrethet: Vlorë, Tepelenë, Përmet, Skrapar, etj, shprehën njëzëri solidaritetin e tyre për mbrojtjen e veprës dhe figurës së shtetit dhe birit të Argjiros, shokut Enver Hoxha. Nga ky manifestim mbarë popullor po i drejtohemi edhe njëherë me një peticion:
1-Kërkojmë nga Këshilli Presidencial që Enver Hoxha, si burrë i shquar i shtetit të ri shqiptar, si udhëheqës 45-vjeçar i këtij populli të shpallet Hero Kombëtar.
2-Sheshi në të cilën u nis manifestimi i parë popullor në mbrojtje të figurës së shokut Enver Hoxha, të emërohet sheshi Enver Hoxha.
3-Të shikohet veprimtaria e të gjithë organizatave dhe partive politike në drejtim të situatave të tanishme dhe të mbahet qëndrim përkundrejt të gjithëve që nxitën vandalistët dhe bënë krimin më të shëmtuar me heqjen e monumenteve të Enver Hoxhës. Të gjithë këto që i nxisin vandalizmat, të nxirren të jashtëligjshëm.
4-Të nxirret jashtë ligjit Partia Demokratike dhe liderët e saj: Gramoz Pashko, Sali Berisha, Edi Rama, Azem Hajdari, Neritan Ceka, Blendi Gonxhe, etj që kanë hedhur baltë mbi figurën e Enver Hoxhës dhe kanë thyer rëndë ndërgjegjen e popullit tonë, të dalin papa gjyqit të popullit sipas ligjeve në fuqi,
5-Të përjashtohen nga Universiteti i Tiranës të gjithë pedagogët që morën pjesë në grevën e urisë.
6-Të përjashtohen pedagogët e Institutit të Lartë Pedagogjik: Surja Baci, Sotirah Hroni, Mersin Shena, Edmond Stamati, Harallamb Meçani, Dhimitër Muka, që nxitën bojkotimin e mësimit nga studentët,
7-Napolon Roshi, si drejtor i Radios së jashtme dhe Alfonc Gurashi që morën pjesë në spektaklin e vrasjes së Enver Hoxhës dhe me qëndrimin e fjalët e tyre hodhën plumba mbi shpirtin e popullit, të jepen për ndjekje penale.
8-Përkahim dhe përshëndesim të gjitha rrethet që na u ndodhën në krah në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës dhe u bëjmë thirrje që të jenë të vendosur deri në fund me qëllimin që i kemi vënë vetes.
9-Mbështesim fuqishëm peticionin nr.1 që i kemi dërguar Komitetit Qendror (të Partisë së Punës-shënim) dhe të gjithë popullit shqiptar.
10-Mbështesim qëndrimin e vëllezërve tanë studentë të Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”.
11-I bëjmë thirrje gjithë përkrahësve të Enver Hoxhës që dhimbjen ta kthejmë në forcë dhe votat tona të 31 marsit të jenë vetëm për Enver Hoxhën.
12-Realizimin e të gjitha pikave të peticionit i kërkojmë deri më datën 10 mars 1991, në të kundërt:
-Do kërkojmë dorëheqjen tuaj nga të gjitha funksionet në parti e pushtet.
13-Në rast se deri më 10 mars nuk do të realizohen këto kërkesa, atëherë i gjithë populli i jugut nga Skrapari e deri në Sarandë do të mblidhet të Gjirokastër dhe do të vendosë për të ardhmen e popullit. Ftojmë me këtë kërkesa gjithë popullin e ndershëm shqiptar.
-Kërkojmë që ky peticion të transmetohet në radiotelevizion dhe në gazetën “Zëri i Popullit”.

Nga mitingu mbarë popullor i organizuar nga Bashkimi i Veprimtarëve “Enver Hoxha”, Gjirokastër