SHPERNDAJ

Neritan Kolgjini

Ndërroi jetë Ali Dalip Habili
Habilaj – 16.03.1936
Habilaj – 24.02.2018
Mbas nji smundje të rondë e të pashërueshme, e cila e mundoi për disa muej, diten e shtunë dt 24 shkurt 2018, ndërroi jetë Ali Dalip Habili. Varrimi u bo në Kavajë, ku morën pjesë shumë miq e dashamirë të Familjes së dajve të mi Habili.
Aliu, i cili osht kushrini i parë i nonës sime, ka qenë nji i dënuem politik në kohë të komunizmit, me 20 vjet burg, në bazë të nji akuze absurde, e cila nuk u vërtetue nga asnji fakt apo dëshmitar.
Aliu u dënue, – bashkë me disa kushrij të vetët Habilaj, – për gjoja terrorizëm. Kjo akuzë u ngrit për shkak se në katund ndodhi nji vrasje dhe për këte u akuzuen disa vetë. Personi i vramë ishte kryetar i këshillit popullor. Por ajo ngjarje ishte dhe mbetet thjesht nji vrasje. Të gjitha dokumentet e dosjes gjyqësore e hetimore, – por edhe sikur thjesht pretencën e prokurorit Mina Niço ta marrim si referencë, – vërtetojnë se Ali Habili nuk kishte lidhje me ngjarjen, ndërsa dënimi i tij bahej me qëllim ndëshkimin e Familjes e fisit Habili, si kundërshtarë të haptë ndaj regjimit komunist.
Për vrasjen e kryetarit të këshillit, i cili ishte gjithashtu bashkëfshatar i dajve të mi, u dënuen shumë njerëz. Disa prej tyne u ekzekutuen pa gjyq. Bashkëlidhun me këtë shënim, janë edhe fotot e kufomave, që gjinden në dosjen gjyqësore.
Megjithëse u dënue padrejtësisht dhe pa asnji faj, Ali Habili përballoi me dinjitet vuejtjet e burgut komunist dhe mbajti me krenari emnin e vet dhe të familjes Habili. Gjatë vuejtjes së dënimi për gati 2 dekada, ai ka qenë i detyruem të punonte si skllav, në shumë të ashtuquejtuna vepra industriale që ndërtoheshin prej të burgosunve siç janë Superfosfati i Laçit, apo Fabrikat e Çimentos në Elbasan, F.Krujë etj, apo sidomos puna në galeritë e kromit në Bulqizë, Spaç etj.
Kjo torturë fizike e psiqike nuk e dëshpëroi në asnji çast të jetës. Ali Habili, ose daj Lika, ka qenë nji karakter i çeliktë, i cili qoftë në tymin e galerive, apo në llumin e kooperativës ku duhej të punonte mbas daljes nga burgu politik, ushqente pa pushim idenë e rrëzimit të regjimit komunist. Vuejtja dhe tortura, në vend se ta frenonin pak, sikur e kishin galvanizu idenë e tij për me jetu si njerëz të lirë, në nji shoqni të lirë.
Antikomunizmi ishte thelbi i tij si njeri. Sakrifikoi gjithçka, rininë e vet, jetën, shëndetin e në nji sens, edhe familjen, sepse për vite e vite me radhë, nuk pranoi me u martue. Simbas tij, në luftë përballë komunizmit, burri nuk duhet të kishte pengje të tilla si familja, fëmijët etj.
Për këtë arsye ai vendosi të martohej shumë vonë, vetëm kur regjimi komunist nisi theqafjen.
Vitet ’90-të dhe jeta në kushte të reja, përveç lirisë së andrrueme, nuk i plotësuen ato shpresa për dënimin e krimeve e padrejtësive të komunizmit. Ndërsa zhgënjimi i tij qe edhe ma i thellë në vitet e fundit të jetës, kur atij iu mohue padrejtësisht edhe damshpërblimi si i burgosun politik. Daj Lika nuk e dha veten dhe asnjëherë; nuk e përmendte çeshtjen e damshpërblimit për burgun e padrejtë, apo për punën e detyrueme si skllav që kishte ba. Por ne të afërmit e tij e ndienim dëshprimin dhe pezmin që kishte. Nuk ishte thjesht çeshtja e nji pagese, saç ishte njohja e qëndrimit të tij dinjitoz kundër regjimit. Mos-shpërblimi ishte në mënyrë të drejtpërdrejtë, mos-njohje e burgut politik, mos-njohje e qendrimeve kundër regjimit komunist. Ishte vrasje e mirëfilltë e dinjitetit të nji burri, i cili kishte dhanë prova të shumta gjatë gjithë jetës së vet për atë çka përfaqësonte.
Daj Lika bajti me dinjitet vuejtjet e kurthet e jetës nën komunizëm dhe në kujtimet e njerëzve të afërt, ai ishte simboli i rezistencës ndaj së keqes, të ngritun në sistem. Ai mbillte e nxiste gjithmonë shpresën se regjimi i qenve të kuq do të merrte fund shpejt e në mënyrë të turpshme. Njashtu siç edhe ndodhi në fakt në 1990. Por zhvillimet e mavonshme, në vend se ta këndellnin e gëzonin si njeri, e futën në nji dëshpërim e zhgënjim të thellë. Pronat e familjes, tokat e pasunitë nuk iu njohën e nuk iu kthyen. Ironia shkoi edhe ma thellë, kur nuk iu njoh as vuejtja në burgun politik, si shumë bashkëvuejtësve të tjerë. Priste mos ndoshta deputetët apo njerëzit e qeverisë do të reflektonin e do t’ia njihnn ato sakrifica, por më kot. Shteti e kishte da mendjen me e injorue këtë kategori luftëtarësh antikomunistë. Shteti për ta kishte caktue mbrojtjen e akuzave të prokurorit komunist!

Ja çfarë thuhet në nji pjesë të pretencës së prokurorit Mina Niço:
<>> Dt. 28.12.1962
Kjo lloj çdrejtësie komuniste me sa duket përban ende normë në kushtet e sotme, dhe prandaj dajës tim të mrekullueshëm, nuk iu njoh damshpërblimi për dhjeta vite burg e po aq punë të detyrueshme në kampet e punës. Unë besoj se padrejtësia që po u bahet sot këtyne burrave, – sepse janë rreth 3000 ish të burgosun, të cilëve nuk iu asht njohë burgu politik, – asht e krahasueshme me dënimin e padrejtë që u dha regjimi gjakatar në atë kohë. Në atë kohë i vranë e dërrmuen fizikisht, sot po i vrasin shpirtnisht! O turp, ku e ke të kuqtë!