SHPERNDAJ

Nëna Mbretëreshë Sadije Zogu – Toptani, lindi në Tiranë në vitin 1876. Ajo ishte bijë e njërës nga familjet më të fuqishme të Shqipërisë Qendrore, Toptanët e Tiranës. U martua me Xhemal Pashë Zogun në vitin 1891 dhe nga kjo martesë i lindën 7 fëmijë. Mbreti i mëvonshëm i shqiptarëve, Ahmet Zogu, ishte fëmija i dytë dhe lindi më 8 tetor të vitit 1895. Nëna Mbretëreshë Sadije vdiq në Durrës më 24 nëntor të vitit 1934. Ceremonia e varrimit u zhvillua më 26 nëntor 1934 në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.U varros në vendin e quajtur Kodra e Gështenjës, në krah të djathtë të rrugës aktuale automobilistike Tiranë – Elbasan, (në jug të Pallatit Mbretëror). Për t’u prehur në një varrezë të veçantë që synohej të bëhej familjare, u ble tokë me një sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrorë dhe mbi të u ndërtua një mauzole që u projektua nga arkitekti i njohur Qemal Butka.Dyert e këtij mauzoleuu hapën më 30 dhjetor 1935, me pjesëmarrjen e Mbretit Zog I, motrave të tij princesha, kryeministrit të Shqipërisë, Mehdi Frashëri, etj., dhe më pas trupi i të ndjerës Nënës Mbretëreshë u vendos për t’u prehur përjetësisht në këtë varr-mauzole madhështor, i cili u dëmtua me shpërthim tritoli të vënë enkas më 17 nëntor 1944 nga forcat komuniste të së ashtuquajturës Brigada e Parë, ditën kur këto forca pushtuan qytetin e Tiranës.

mapo.al