Oficeri i Marinës italiane akuzohet se i dha informacione sekrete ambasadës ruse, Roma dëbon dy diplomatë rusë

KreuRajoni

Oficeri i Marinës italiane akuzohet se i dha informacione sekrete ambasadës ruse, Roma dëbon dy diplomatë rusë

Ministri i Jashtëm Italian Luigi Di Maio të mërkurën tha se vendi i tij ka dëbuar dy diplomatë rusë pasi një oficer i Marinës Italiane u kap teksa pretendohej se po i dorëzonte dokumente të klasifikuara një zyrtari rus.

Elisabetta Belloni, Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë, thirri gjithashtu të mërkurën ambasadorin rus në Itali, Sergej Razov, lidhur me incidentin.

“Kur ambasadori rus në Itali u thirr në Ministrinë e Jashtme, ne shprehëm protestën e vendosur të qeverisë italiane dhe njoftuam dëbimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve rusë të përfshirë në këtë çështje jashtëzakonisht të rëndë.” – shkroi Di Maio në një postim në Facebook.

“Falënderoj shërbimin e inteligjencës dhe të gjitha agjencitë shtetërore që punojnë për sigurinë e vendit tonë çdo ditë.” shtoi ai.

Të martën, një oficer i Marinës Italiane u arrestua me akuzat e spiunimit për Rusinë pasi ai dyshohet se i kaloi dokumente shumë sekrete një zyrtari ushtarak rus në këmbim të parave.

Oficeri dhe zyrtari ushtarak në Ambasadën Ruse në Romë u kapën gjatë një takimi klandestin në një operacion nga karabinierët italianë.

Arrestimet erdhën pasi prokurorët e Romës filluan një hetim mbi çështjen, e cila përfshin krime në lidhje me spiunazhin dhe shkeljet e sigurisë së shtetit.

“Rrethanat e incidentit janë duke u sqaruar. Ne besojmë se është e papërshtatshme të komentojmë mbi incidentin për momentin. Në çdo rast, ne presim që incidenti të mos ndikojë në marrëdhëniet bilaterale ruso-italiane.” – tha Ambasada Ruse në një deklaratë.