SHPERNDAJ

Voltiza Duro –

Studentët e universiteteve publike në vend, jo rrallëherë detyrohen të paguajnë shuma të konsiderueshme parash kundrejt notës. Abuzimet nga pedagogët vazhdojnë të jenë të pranishme, ku më famëkeqi rezulton Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, ku të rinjtë kanë paguar edhe 500 apo 700 euro për të marrë një provim. Në një intervistë Arbjona Çibukaj, studente te Departamenti i Gazetarisë, njëkohësisht edhe aktiviste e lëvizjes “Për “Universitetin” tregon se ka pasur raste ku studentët janë penalizuar për faktin se nuk kanë blerë libra (autorë të të cilëve janë pedagogët e lëndës), e madje nuk lejohen që t’i fotokopjojnë. Më tej, studentja shton se në tryezat e diskutimit janë denoncuar edhe raste të ngacmimeve seksuale në auditore.

Lëvizja “Për Universitetin” ka ngritur shqetësimin për mitmarrjes në universitetet publike. Pse erdhi një reagim i tillë nga ju?
Ne gjithnjë kemi ngritur shqetësimin e mitmarrjes në takimet që kemi zhvilluar nëpër fakultete. Në tryezat e fundit të diskutimit po vërenim që studentët po merrnin edhe më shumë guxim për të denoncuar qoftë në këto takime, qoftë duke na u drejtuar në faqen tonë. Kjo e bëri më të lehtë edhe për ne që të kishim prova përtej rasteve që njihnim nga përditshmëria jonë në fakultet.
Në tryezat e diskutimit ka pasur studentë që kanë treguar mbi këtë abuzim?
Studentët kanë sjellë raste ku janë penalizuar për faktin se nuk kanë blerë librat me detyrim, libra që jo rrallë janë plagjiaturë dhe pa shtëpi boutese. Po ashtu, një pjesë e tyre edhe pse më të rezervuar, kanë denoncuar rastet e mitmarrjes nga disa pedagogë, shumën që merrnin, sekserët e tyre etj.
Cilat janë fakultetet më problematike ku pedagogët korruptohen?
Në çdo fakultet ka pedagogë problematikë si për shitjen e librave, si për mitmarrje, por më famëkeqi mbetet Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, Universiteti i Mjekësisë, apo edhe universitetet publike të rretheve.
A keni informacion sesa para kërkohen kundrejt notës te Fakulteti i Shkencave të Natyrës?
Ne e kemi përmendur edhe në aksionin e fundit që kemi bërë tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Një numër i konsiderueshëm i pedagogëve shantazhon me notën në këmbim të shumave të larta deri në 700 euro. Studentët që kanë përfunduar studimet, si dhe ata që vazhdojnë të jenë studentë në atë fakultet, na kanë treguar që kanë paguar 500 euro apo 700 euro për të marrë një provim