SHPERNDAJ

Festivali i Letërsisë në Orllan (FLO) ka kënaqësinë me njoftue se laureat i Çmimit Ramiz Kelmendi këtë vit asht përkthyesi me renome botnore dhe redaktori Peter Constantine.

Constantine nderohet me këtë çmim për kontributin e tij të veçantë për njohje ma të gjanë të letërsisë shqipe dhe arbnishte në botë.

Constantine e quejti çmimin “nji nder të mrekullueshëm dhe prekës” dhe tha se, “ky asht çmimi i parë letrar që ndahet najherë lidhun me arbnishten, e cila nga arvanitasit njihet si glukha trimnishte, e që nga UNESCO konsiderohet si gjuhë shumë e rrezikueme.” Për këtë arsye, tha Constantine, ai asht dyfish mirënjohës për Çmimin.

Constantine ka përkthye në anglisht prozë nga Ismail Kadare, përfshi Three Elegies For Kosovo (Tri këngë zie për Kosovën), si dhe vepra të poetëve që shkruejnë në dialektin korintian dhe boeotian të arbnishtes, gjuhë që flitet nga arvanitët në Greqi.

Asht shpërblye për nji numër përkthimesh, përfshi ato të veprave të Tomas Manit, Anton Çehovit, Isaac Babel’it, Nikolo Makiavelit.

Përkthimet e tij ma të fundit përfshijnë The Confessions by Augustin (Rrëfimet, nga Augustini), The Essential Writings of Rousseau (Shkrime të zgjedhuna të Rusosë), dhe veprat e Sofokliut, Volterit, Tolstoit dhe Gogolit. Asht drejtor i Programit të Përkthimeve Letrare në Universitetin e Connecticut’it. Po ashtu, asht botues i World Poetry Books dhe kryeredaktor i New Poetry in Translation.

Shkrimi është botuar në gegërisht, siç e ka botuar site që shkruan në këtë dialekt- rrokum.tv/Konica/