SHPERNDAJ

Edison Ypi

Te rruga ime qindra banorë ecin mbi trotuare duke folur me vete fraza të padeshifrueshme.
Qindra të tjerë te rruga ime nuk dalin nga shtëpia me arsyetimin se në dimër bën ftohtë dhe në behar nxehtë.
Te rruga ime gjallojnë mijëra komunistë nostalgjikë të dëshpëruar për jetën e sotme monotone të palezetshme kur nuk mund të realizojnë atentate nëpër rrugica, nuk mund të bëjnë mbledhje të fshehta, nuk mund të vrasin pas shpine, nuk mund të ngjisin natën trakte mbi mure.
Pothuajse i gjithë populli i Rrugës time, kapitalizmin dhe pluralizmin nuk i lidh me Lirinë por vetëm me papunësinë, emigracionin, mungesën e rendit, korrupsionin e administratës, hajdutllëkun e politikanëve, krimin, farmacinë, somniferët, pilulat qetësuese, mbajtjen nën gjuhë të tabletave për uljen e tensionit.
Dy ndër tre banorë te Rruga ime ja ka vënë syrin dikujt për ta vrarë sa më shpejt të jetë e mundur.
Katër në pesë banorë te Rruga ime që presin dikush ti vrasi, i shtyjnë ditët me shpresë që kjo të ndodhi sa më vonë.
Për rrugën time vera më dehëse është vjedhja, rakia më e mrekullueshme është hilja, pija freskuese më e pëlqyer është vrasja.
Për tre të katërtat e banorëve të rrugës time; fjala më e bezdisëshme është “puna”, zbavitja më e këndëshme është Interneti, filmi më i bukur është teleovela, muzika më e pëlqyer është sirena e makinës së policisë që vjen për të arrestuar komshiun.
Për 99 nga 100 banorë të rrugës time libri nuk ekziston.
Te Rruga ime, ku kafenetë çahen nga muhabetet për gjeopolitikë botërore, askush nuk ankohet se nëpër dyqane nuk vënë çmime.
Te Rruga ime mosmarrja e kuponit tatimor quhet trimëri hakmarrëse ndaj qeverisë së keqe.
Banorët e Rrugës time nuk i hedhin asnjë qindarkë violinistit serioz që luan Erik Satie mbi trotuar por vetëm lypsarëve pisanjosë që s’dinë të bëjnë asgjë.
Brenda dyqaneve te Rruga ime, fort rrallë sheh blerës. Vetëm shitsen elegante kokulur mbi celular duke bërë selfie ose shetitur në fejsbuk.
Rruga ime është e vetmja rrugë në botë që ka qeflie, interesaxhie, budallaqe, delirante, por nuk ka kurva.
Rruga ime pa kurva nuk ka asnjë femër che non ti rompe i coglioni.
Te Rruga ime ka plot obezë, kardiopatë, endokrinopatë nën 30 vjeç.
Qindra delirantë që bëjnë si të ditur, dhe po aq grafomanë që bëjnë sikur shkruajnë, popullojnë Rrugën time.
Kafenetë te rruga time janë plot me spiuna të qeshur që u kanë nxirë jetën kushedi sa njerëzve.
Rruga ime ka me dhjetra zgëqe ku mbrëmjeve mblidhen të rinj ngordhalaqë që tymosin hashash.
Rruga ime ka panumurim bij që duan të vrasin babain, nipa që ëndërrojnë të helmojnë xhaxhain, kunata që duan ti zhysin në gëlqere të pashuar kunatat, nuse që ëndërrojnë tua rjepin lëkurën vjehrrave, vjehrra që duan tua presin fytin nuseve.
Te Rruga ime ka qindra të rinj që duan të ikin në Gjermani për të vetmen arësye sepse janë biondë, qindra të tjerë në Turqi sepse u duket vetja të talentuar për aktor telenovele, panumurim të tjerë në Itali ku, sipas tyre, vidhet kollaj.
Budallenjtë e Rrugës time që duan të duken të mençëm dhe seriozë, njihen kollaj, janë ata që mbajnë kravatë.
Te Rruga ime komunistat e kanë harruar luftën e klasave, merren me biznes.
Te rruga ime ka qindra demokratë që për ta shkatërruar Partinë Demokratike përdorin mënyrën staliniste të zbatimit të luftës së klasave mes vedit.
Te rruga ime mund të rrish me orë përballë secilës nga tre kioskat pa parë dikend të blejë një gazetë. Blerja e një gazete te Rruga ime është si blerja e një kostumi të shtrenjtë në një Butik; dikush dikur e blen, por s’dihet se kur.
Banorët e rrugës time nuk janë vetëm vrasës, hajdut, votues, militant politik, evazor fiskal, budalla, delirant, por njëkohësisht disa nga këto, ose të gjitha bashkë.
Rruga ime me problematika sa për dhjetë milionë njerëz normalë, ka vetëm tre mijë banorë të çartallosur, që presin të vdesin, megjithse kurrë nuk kanë lindur.