SHPERNDAJ

Kastriot Dervishi

Shqipëria nuk ka një listë të saktë të personave të ekzekutuar me dhe pa gjyq gjatë viteve 1941-1991, pra të vrarë nga komunistët gjatë luftës dhe pas saj. Ekziston vetëm një listë me 5.157 persona, e cila është hartuar në vitin 1996. Të vrarët pa gjyq klasifikohen ata që kanë humbur gjatë viteve 1941-1944, në përpjekje me forcat e regjimit komunist, të vdekurit në hetuesi, të vdekurit në internim, kampe dhe burgje; të vrarët në kufi. Për të pasur një ide të përgjithshme, unë kam artikuluar shifrën e 6 mijë personave, duke thënë gjithnjë se është e nxjerrë nga sondazhi. Kjo shifër që e ka pikënisjen nga viti 1941, qëllimisht zëvendësohet me vitin 1944. Rreth 2 mijë të ekzekutuar i takojnë viteve të luftës, pjesa dërrmuese viteve 1943-1944 (shumica e tyre janë varrosur në atë kohë dhe nuk konsiderohen më të si zhdukur). Nuk duhet harruar se vetëm në vitet 1992-1996 komisionet e drejtuar nga z.Uran Butka kanë gjetur një numër të madh të zhdukurish, përllogaritur në rreth 2 mijë të tjerë. Si rezultat, shifra e kërkimit mund të jetë te diku 2 mijë personat. Gjithsesi, në kushtet kur varrezat e qyteteve kanë lëvizur, në vendet e pushkatimit janë bërë ndërtime, brigjet e lumenjve kanë ndryshuar, shifra zvogëlohet edhe më shumë.
Në vitet 2010-2014 funksionoi edhe një task-forcë e konceptuar si bord drejtorësh, më shumë teorike sesa ekzekutive. Nisur nga këto zhvillime unë kam qenë propozuesi i shkrirjes së kësaj task-force dhe krijimit të zyrës së të zhdukurve pranë Institutit të ish të Përndjekurve, i cili mendohet ta ketë këtë edhe brenda detyra funksionale, siç edhe u bë. Në takimin që kemi pasur në 27.7.2011 me përfaqësues të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur me qendër në Bosnje, ata kërkuan prej shtetit shqiptar vetëm hapjen e regjistrit të të zhdukurve, ndërsa merrnin përsipër gjetjen falas e ADN-ve. Këtu te ne u interpretua sikur do vinin të huajt të bënin punët tona, etj, etj.

Qysh në fillesat e kompozimit të Autoritetit, nisur nga fakti se propaganda boshe, është mjet kryesor i kësaj qeverie, u përsërit vazhdimisht në mënyrën më naive se tanimë me hapjen me buton të dosjeve do mësohen edhe vendet e varrimit të martirëve të regjimit komunist. Kësaj teze i mëshonin në mënyrë të çuditshme edhe disa ambasadorë të shteteve miq, duke më lënë një shije tejet të hidhur se sa larg të kuptuarit të komunizmit shqiptar ishin. Ata që lëshonin kësi deklaratash, as mendonin fare se sa njerëz mund të besonin këto të pavërteta. Me e dhimbshmja është se kanë filluar ta llogarisin këtë çështje me euro apo dollarë.
Në deklarimin e datës 4.12.2015, kryeministri Rama, pasi përmend pa më cituar emrin, shifrën e 6 mijë të ekzekutuarve (por duke kujtuar se fillonin nga viti 1944) tha se “hapja e dosjeve dhe fillimi i programit për gjetjen e të zhdukurve të diktaturës janë pjesë të të njëjtit proces që synon dekomunistizimin e vendit”. Pavarësisht se kontingjenti më kriminal i diktaturës komuniste është i punësuar në administratën e z.Rama (komunistizimi i gjallë), përçimi i idesë së “hapja e dosjeve” lidhet me “zbulime varresh” ishte ndezja e një shprese të kotë te familjarët e të interesuarve. Natyrisht nuk e di kush e gënjente kaq trashë pa astar fare z.Rama, në hartimin e të tilla fjalimeve.
Në intervistën dhënë gazetës “Politika”, më 24.2.2017, kryetarja e Autoritetit deklaron se në dosjet që “do hapeshin” kishin “për të qartësuar fatin e të humburve, të të zhdukurve, dhe të rasteve të pasqaruara të vdekjeve”. E njëjta gjë përsëritet në intervistën dhënë gazetës “Albanian Free Press”më 10.7.2017.

Nga kjo situatë e krijuar, nëpërmjet shumë deklaratave e postimeve, kam thënë e stërthënë se dosjet formulale dhe ato hetimore-gjyqësore nuk kanë të dhëna të llojit skicë varrimi apo shpjegim të vrasjes së njeriut. Për këtë arsye, nuk duhej krijuar asnjë iluzion. Nuk ka nevojë që të gënjehen të interesuarit e të mbahen me shpresa kot. Vitet e mëparshme, është ezauruar plotësisht informacioni arkivor në lidhje me të zhdukurit. Nuk ka ngelur asgjë e panjohur. Çështja e të zhdukurve nuk është çështje dokumentesh dhe as krijimi borde drejtorësh.
I kam ftuar subjektet e interesuara të mos humbin kohë me Autoritetin sepse këtij të fundit i intereson vetëm një fotografi, një regjistrim kërkese për statistikë dhe dhënia me pahir e dosjes hetimore-gjyqësore të të pushkatuarit, pavarësisht se përmbajtjen e saj, në shumë raste të interesuarit nuk do ta kuptojnë.
Në raportin e fundit të Autoritetit, thuhej se ishin paraqitur 25 kërkesa (shumica e të cilëve janë këshilluar prej meje ta kursejnë kohën e të mos ta humbin kot atë) dhe ishte gjetur vetëm një procesverbal ekzekutimi (i cili ka qenë i njohur për ata që janë interesuar në Arkivin e MB-së). Autoriteti në këtë raport i ka harruar premtimet e bujshme të bëra vite më parë kur deklaronte se me “hapjen e dosjeve” do gjendeshin të zhdukurit.
Së fundi, Autoriteti priti vajzat e të ndjerit Beqo Plaku, të cilat kërkojnë eshtrat e babait prej shumë vitesh. Së paku djalin e Beqos e kam sqaruar unë disa herë se të dhëna mbi varrosjen e tij nuk ka. Mirëpo tani nën presionin propagandistik, vajzat e të ndjerit iu drejtuan Autoritetit se kujtojnë se ka të dhëna e mund të gjenden eshtrat. Autoriteti sigurisht së pari i nxori në fotografi. Së dyti, pas disa javësh do u vërë përpara dosjet hetimore-gjyqësore nr.1070 dhe 3399, si dhe dosjen formulare nr.270/1 dhe në fund do u thotë se nuk ka të dhëna rreth zbatimit të vendimit nr.84, datë 5.9.1961 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë që dënoi me vdekje Beqo Plakun. (Pushkatimet e kësaj periudhe në Tiranë janë kryer në zonën e bregut të lumit-zona e Kinostudios dhe rrëzën e poshtme të Dajtit).

Për ilustrim, vendi i pushkatimeve në Tiranë në vitet 1970-1991