SHPERNDAJ

Shqipëria përgjithësisht është nga fundi për çdo renditje, si për shembull, për të ardhurat për frymë, për cilësinë e ajrit, për keqqeverisjen, për ambientin për të bërë biznes e kështu me radhë.

Por, ka një renditje ku ne ‘shkëlqejmë’, atë të kafeneve, që i gjen me shumicë dhe shpesh të mbushura plot në çdo cep të kryeqytetit dhe të Shqipërisë, për numër popullsie. Sipas të dhënave më të fundit të ‘Anketës Strukturore 2016’ të INSTAT, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar-restorante), me një rritje prej 6.3 për qind në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1,200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante)

Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të Revistes ‘Monitor’, ose një bar-kafe për 152 banorë.

Shqipëria ia kaloi në 2016-në edhe Spanjës, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Evropian (BE) dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE.

Deri një vit më parë, Shqipëria ishte në vend të dytë në botë pas Spanjës, por në Spanjë katër vitet e fundit janë mbyllur rreth 70 mijë bare e restorante për shkak të krizës, sipas mediave spanjolle. Spanja ka 47 milionë banorë
Nëse bëhet sërish një krahasim me Spanjën, baret atje janë të përhapura në zonat turistike, për shembull, në Gran Canaria, ka 547 pub-e dhe kafe për vetëm 23 mijë banorë – pra një për çdo 43 persona. Në Shqipëri janë në mes të qytetit dhe më shumë se gjysma në kryeqytet.
/Telegrafi/