SHPERNDAJ

INTERVISTA E VITIT

Mapo 29/12/2018

Princ Leka II, pesha mbretërore e 11 viteve në fron

Duket se ka një hendek të madh mes mbretërisë si funksionim për jetën 11-vjeçare që pati, dhe historiografisë sonë, sidomos gjatë periudhës komuniste, ku fjalët “tradhti kombëtare” dhe “vjedhje e thesarit të shtetit”, janë injektuar fort në memorien kolektive. Po sot pas 28 vitesh sistem pluralist, a vijon ende kjo “hije e së shkuarës”?

Faleminderit për pyetjen. Mungesa e rivlerësimit real të historisë është një nga plagët e vendit tonë. Për 50 vite me radhë, në mënyrë sistematike, pa asnjë fakt është hedhur baltë mbi periudhën e mbretërisë dhe më konkretisht mbi figurën dhe kontributin e Mbretit Zog. Akuza për thesarin e shtetit është hedhur poshtë me fakte të botuara nga arkiva e bankës së Shqipërisë. Për 50 vite me radhë u përhap gënjeshtra e madhe e “vjedhjes së thesarit të shtetit” nga Mbreti Zog në kohën kur ky i fundit, i diktuar nga rrethanat ndërkombëtare, dhe me vendim të parlamentit shqiptar, kishte lënë Shqipërinë në mesnatën e 9 prillit 1939. Në fakt askujt nga propaganduesit e kësaj teze nuk i ka interesuar të thotë që thesari i shtetit shqiptar në kohën kur bëhet fjalë ndodhej në Romë dhe jo në Tiranë. Sipas dokumenteve zyrtare, Mbreti Zog, në legjitimitet të plotë, me procesverbal, ka tërhequr buxhetin e Oborrit Mbretëror. Kjo shumë ishte e barasvlershme me rrogën e tij për 1 vit. Sipas dëshmisë së ish-ministrit të Financave Kolë Thaçi, kjo shumë u tërhoq me procesverbal në prani dhe me nënshkrimin e Këshillit të Ministrave, të cilët ishin mbledhur në shtëpinë e Kryeministrit Kostaq Kota.

Kjo sasi monetare është përdorur në masën më të madhe për të paguar rrogat e personave që shoqëruan Mbretin dhe diplomatë si Faik Konica etj. Në këto dëftesë-pagesa figurojnë ndër emrat më të shquar të kohës, si: Mirash Ivanaj, Mehmet Konica, Abaz Kupi, Hiqmet Delvina, Qemal Butka, Peter Kolonja, Nikola Prifti etj. Ky fond bëri të mundur fillimin e funksionimit të qeverisë në mërgim. Mos harrojmë që në vitet 50, gjyshja ime, Mbretëresha Geraldine, ishte e shtrënguar të shiste të gjitha stolitë e saj dhe Familjes Mbretërore. Për funeralin e Mbretit Zog më 1961 ajo u detyrua të shesë të vetmen unazë të mbetur, atë të fejesës. Familja ime humbi çdo gjë pasi nuk pranoi pushtimin dhe vasalitetin e Shqipërisë. Mbretit Zog iu ofrua mbajtja dhe trashëgimi i fronit nga Musolini, por ai e refuzoi dhe mbrojti integritetin dhe sovranitetin e vendit. Ikja e tij u diktua nga parlamenti i kohës pikërisht për të mbrojtur këtë sovranitet. Nëse do të qëndronte dhe binte në dorën e pushtuesit, rrezikonte të ndodhte dorëzimi i sovranitetit me dhunë, siç ndodhi në Rumani, Bullgari dhe Belgjikë! Është fatkeqësi që rezistenca ushtarake e Mbretërisë Shqiptare është mohuar nga historiografia. Trupat e Abaz Kupit kanë luftuar me trimëri, por në dallim nga bandat vëllavrasëse komuniste që i pasuan, ata luftuan pushtuesin!

Në muajin shtator u kremtua 90-vjetori i Mbretërisë Shqiptare. Çfarë do të thotë kjo për familjen mbretërore dhe për ju si trashëgimtar i fronit?

Për mua është një moment për të kujtuar dhe për të reflektuar. Gjithashtu, është një moment për të respektuar veprën shtetformuese të Mbretit Zog. Janë 11 vite mbretëri, 63 vite ekzil, dhe 16 vite rikthim. Në të gjitha këto periudha, kontributi i Familjes Mbretërore në shërbim të atdheut nuk reshti as edhe një ditë! Shqiptarët njohin kohën e mbretërisë, por të paktë janë ata që njohin vitet e familjes në ekzil. Përkushtimi i Mbretit Zog, të cilin e trashëgoi te babai im, Mbreti Leka I, vazhdoi me një rezistencë aktive kundër pushtimit komunist, në mes të luftës së ftohtë. Familja Mbretërore në ekzil u bë një vatër e ngrohtë për të gjithë shqiptarët që kërkonin lirinë. Rreth Mbretit Zog dhe më pas Mbretit Leka që kryesonin qeverinë në mërgim, u mblodhën patriotë të shquar nacionalistë të cilët themeluan rezistencën. Ata që në filmat e propagandës komuniste ishin diversantët stereotipë, në realitet ishin patriotët e kësaj lëvizjeje antikomuniste. Lotët e gjyshes sime, Mbretëreshës Geraldine, kur më tregonte për Zenel Shehun dhe Hamit Matjanin nuk do t’i harroj kurrë! Ata kishin qenë për vite me radhe pjesë e familjes…

Babai im iu përkushtua çështjes kombëtare deri në fund të jetës. Ai sakrifikoi çdo gjë në shërbim të idealit të tij. Aktiviteti i tij lobues për çlirimin e Shqipërisë u shtri në të gjithë oborret dhe kancelaritë e vendeve perëndimore. Ndryshe nga shumë Familje të tjera Mbretërore në ekzil, ne nuk u dorëzuam kurrë. Madje kjo rezistencë e jona u bë shkak lëvizjesh nga njëri shtet në tjetrin! Kremtimi i 90-vjetorit të Mbretërisë është jo vetëm moment krenarie, por edhe falënderimi për kontributin e paraardhësve të mi, si edhe të gjitha familjeve patriotike shqiptare. Ne e vlerësojmë solemnitetin që tregoi shteti shqiptar duke u përfaqësuar nga Presidenti, si edhe shteti i Kosovës duke u përfaqësuar nga Kryeministri. Gjithashtu, ky kremtim u nderua me pjesëmarrjen e trupit diplomatik dhe përfaqësues të lartë të shtetit hungarez. U jemi mirënjohës për pjesëmarrjen personaliteteve të shquar nga të gjitha fushat si edhe miqve të Familjes Mbretërore nga Shqipëria dhe diaspora.