SHPERNDAJ

Alba Kepi

“Mbreti Zog. Vështrimi tij përcillte ëndrrën e Skënderbeut”

Për herë të parë e pashë mbretin në Shkodër. Mbërthyer në uniformën e tij të bardhë, luksoze. Parakalonin në ceremoni trupat e tij; i rreptë, i pashëm, plot besim në kurajon e tij e të trupave të tij…

Munda ta shoh për herë të dytë në varrimin e Zena Bej, i vrarë, në Pragë… Mbreti ishte një figurë shtatlartë, aristokratike, më shumë anglosakson sesa një orental, i rënduar në fytyrë por i palëshuar, me sjellje kryelartë por pa kryeneçësi. Sy të gjallë, arrogantë e njëkohësisht të dyshimtë që sfidonin mijëra vështrime kurioze që turma lëshonte mbi të…

Ishte Njeriu i aftë për të qenë kreu i popullit të tij, i aftë për të dominuar e imponuar një ide, i aftë për të qenë protagonist i një faqe historike…

E ripashë mbreti Zog me rastin e ceremonisë zyrtare të mbërritjes në Tiranë të S. E. Grandi.

Zogu I mu duk më i gjatë se zakonisht, veshur me uniformën e gjeneralit e cila e shfaqte më të ri e në të njëjtën kohë mjaft luftarak…

E pashë dhe herë të tjera e më ka lënë përshtypje vështrimi i tij, vizioni që pashë atë ditë kur më nderoi me praninë e tij në një leksion timin pranë Shkollës Mbretërore Ushtarake.

Nga vështrimi i tij shfaqej pamja rrezatuese e ushtrisë së tij, e një Kombi që rilindte; Ëndrra e Skënderbeut!

Për herë të parë një reportazh i plotë për Tiranën e viteve ‘30 të shekullit XX, pasqyron jetë e një qyteti në rrugën e tij drejt Perëndimit. Ka aq shumë ngjashmëri me realitetin e sotëm, sa duket se koha është ndalur në penën e autorit.

Gjeneral Azais Pio qe një funksionar i lartë i ushtrisë italiane që detyra e solli të qëndronte pak kohë në Tiranë në atë fillim të viteve ‘30 të shekullit XX. I dekoruar me një nga urdhrat më të lartë të nderit të Republikës Italiane, trashëgimia e jetës së tij përveç karrierës profesionale përmban dhe mjaft artikuj, studime e libra me karakter social, historik, etnografik e kulturor. Kudo që udhëtonte nuk linte pa kultivuar pasionin e tij të madh të penës e që nuk e kurseu as dhe gjatë qëndrimit të tij në Tiranë. Vinte nga një qytet në rajonin e Ligurias në veri të Italisë, në kufi me Francën ku natyra e realiteti ishin kaq larg Shqipërisë së dikurshme. Por ky fakt nuk e pengoi të kuriozohej e të njihte nga afër jetën e një kryeqyteti të vogël në zemër të Ballkanit.

Cdo vendi o ngjarje në të cilat ishte dëshmitar i kushtonte intimitetin e përshkrimit, duke e përcjellë më pas në mediat lokale të kohës. I tillë është dhe reportazhi “Në kryeqytetin e një mbretërie të re: Tirana”, botuar në revistën mujore “Emporium” të qytetit të Bergamos në prill të vitit 1930.

Shumë udhëtarë, diplomatë, shkrimtarë e artistë që kanë vizituar Tiranën në fund shekulli XIX apo në atë fillim shekulli XX kanë përcjellë përshtypjet e tyre me një skicë grafike o një pikturë të frymëzuar, apo dhe me pak rreshta mbi atë çka ky qytet i dhuronte. Reportazhi i gjeneral Azais Pio mbi Tiranën veçon nga të gjitha këto. Në mbi dhjetë faqe të tij si kurrë ndonjëherë jepet një përshkrim i plotë mbi arkitekturën e natyrën e këtij qyteti, mbi jetën e banorëve besimin e tyre fetar e moral, mbi kostumet e zakonet etnografike, pa harruar të parin e vendit mbretin Ahmet Zog.