SHPERNDAJ

Voltiza Duro

Kohët e fundit, mjekët e infermierët e diplomuar në vendin tonë po shohin vendet perëndimore si opsionet më të mira për të filluar një punë në profesion. Kjo kategori profesionistësh po largohen nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë, me paga e standarde më të larta.

Presidenti i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, Elson Jaçaj tregon për “Gazeta Shqiptare” se jo vetëm pagat e ulëta, por edhe kushtet e punës e diskriminimi profesional i detyrojnë infermierët të largohen nga vendi. Jaçaj më tej thekson se në shumë raste, infermierët janë dhunuar nga pacientët apo familjarët për mungesë shtretërish apo ilaçesh e kjo jo për faj të infermierit.

Cilat janë disa prej problematikave që hasin sot infermierët në Shqipëri?
Infermierët sot kanë një sërë problematikash. Duke filluar që nga diskriminimi profesional. Në të gjithë botën, ashtu edhe tek ne, ata janë hallka më e rëndësishme e sistemit shëndetësor, pasi një mjek kalon shumë pak kohë me pacientin në krahasim me infermierin. Infermieri është kontakti i parë dhe i fundit me pacientin dhe është personi që vihet në shërbim të pacientit në të gjithë orarin e punës. Në vendin tonë, edhe pse një infermier paguhet sa një sanitare, shpesh më pak, dhe pse punon në kushte të vështira, nën një trysni dhe presion gjatë gjithë kohës dhe shërben me gjithë zemër, prapë mbetet thjesht një “kafshë” pune për punëdhënësit.

Si paraqiten kushtet e punës për infermierët? A janë të kënaqshme?
Fatkeqësisht në Shqipëri edhe ambienti i punës është i pasigurt për infermierët, si nga ana higjienike edhe nga ana fizike. Theksoj se nga ana higjienike, infermierët punojnë në një ambient gjithë infeksione, pa doreza, pa maska e të pambrojtur. Në këtë mënyrë rrezikohet jeta e infermierit dhe pacientit. Ndërsa janë të pasigurt fizikisht, pasi kemi parë shumë raste që disa infermierë, sidomos në urgjenca, janë dhunuar fizikisht nga familjarët agresorë apo dhe pacientët pasi infermieri është kontakti i parë me pacientin.

Ju thatë që shpesh ushtrohet dhunë fizike ndaj infermierëve. Pse ndodh diçka e tillë?
Kur dikush vjen në spital (sipas publicitetit që bëhet rëndom nëpër media e kudo që shëndetësia tek ne është falas dhe nuk mungon asgjë) në momentin që një pacient përballet me realitetin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore në vend kërkon përgjigje nga infermieri. Shpesh, shëndetësia te ne është një fasadë e bukur nga jashtë, por që brenda është akoma e kohës së Luftës së Dytë Botërore si në hoteleri dhe në shërbim medikamentoz. Fakti që ka mungesa dhe s’ka shërbim për çka një pacient ka nevojë, nuk është faji i infermiereve. Por duke qenë se infermierët janë të parët në kontakt me pacientin dhe familjarin, sigurisht që të parit që do i “shfryhen” është infermieri (me të drejtë për çka kërkojnë, por jo tek personi i duhur).

Sa vlerësohet një infermier në Shqipëri?
Një tjetër problem që hasin infermierët e që po iu zbeh dëshirën për të punuar në Shqipëri është diskriminimi profesional. Kjo pasi si nga ministria, edhe nga administratat ku punojnë, nuk janë shumë të vlerësuar profesionalisht. Edhe pse sot një infermier mbaron 5 vite fakultet po aq sa një mjek, edhe pse bën trajnime të vazhdueshme tek qendra e edukimit në vazhdim për rritje profesionale dhe janë vërtet të aftë dhe shumë të zotë, akoma është një frymë diskriminimi që qarkullon prej kohësh. Kjo vjen nga drejtues të ndryshëm, të cilët këtë negativitet shpesh e transmetojnë edhe tek pacientët, të cilët vijnë me atë lloj paragjykimi, por që fatmirësisht kur shikojnë punën dhe përkushtimin e infermierëve e thonë me plot gojën: “Bravo jeni me të vërtetë për t’u përgëzuar për çdo gjë që bëni”.

Pse po largohen infermierët drejt vendeve perëndimore për të ushtruar profesionin e tyre?
Me të drejtë infermierët largohen nga Shqipëria, pasi është i vetmi vend që nuk di ta vlerësojë këtë profesion. Ndërkohë që e gjithë Europa e më gjerë po i kërkojnë, po i vlerësojnë, po i paguajnë mirë duke u siguruar shumë kushte, si për ta dhe për familjet e tyre. Ndërsa në Shqipëri është e kundërta; dalin shumë infermierë nga Fakultetet e Infermierisë në vend, gjë që çon në një numër të madh infermierësh të diplomuar çdo vit dhe fatkeqësisht vendi ynë ofron pak vende pune për ta. Kështu që një nga arsyet kryesore të largimit nga vendi, është pamundësia e gjetjes së një vendi pune në Shqipëri.

A është një faktor ndikues edhe paga?
Një tjetër arsye e largimit të infermierëve nga Shqipëria, është edhe paga e ulët që marrin, pavarësisht se mund të bësh master e çdo lloj kualifikimi tjetër, nuk merr as rritje page, as rritje profesionale. Fatkeqësisht Shqipëria është kthyer në një vend që po vret çdo shpresë për çdo lloj moshe dhe çdo dëshirë për të punuar dhe kontribuar në vend.

Sa mbështetje gjejnë infermierët për zgjidhjen e problematikave të tyre te Urdhri i Infermierit?
Një shqetësim tjetër për infermierët është edhe institucioni i Urdhrit të Infermierit, i cili në 10 vjet nuk ka bërë asgjë për infermierët si kur janë dhunuar, si kur janë hequr padrejtësisht nga puna pa asnjë motivacion. Një urdhër që udhëhiqet prej 3 mandatesh po nga i njëjti person e ku nuk janë zhvilluar zgjedhje të drejta asnjëherë. Çdo tarifë e paguar nga infermierët në drejtim të këtij institucioni nuk është kthyer në shërbim asnjëherë. Çdo urdhër tjetër cakton datën e zgjedhjeve, shpall kandidatët e bën zgjedhje dhe çdo 4 vjet e më tej vendos dikë që shpalos një program në të mirë të profesionit, ndërsa me infermierët nuk ndodh kështu.

Cilat janë disa nga problematikat që ju si shoqatë keni evidentuar në fakultetet e Infermierisë?
Vendi ynë ka shumë fakultete infermierie dhe nuk kanë një kurrikul të unifikuar, po çdo fakultet ka kurrikulën e vet dhe nxjerr infermierë sipas modelit të tij, pra nuk dalin të njëjtët infermierë të përgatitur. Nuk i japim dot shpjegim faktit se pse duhet që fakultetet e infermierisë të drejtohen nga mjekë dhe të kenë kaq shumë lëndë mjekësore kur infermieri nuk i aplikon ato kur del në pune dhe pse ka kaq pak orë praktike në fakultete kur praktika është baza e infermierisë.

A është i mjaftueshëm stafi i infermierëve në spitale apo qendra shëndetësore?
E dhimbshme është që jemi akoma në tranzicion në këtë pikë, por më e dhimbshme është kur të kuptohet që jemi më në krizë për staf shëndetësor, për infermierë dhe mjekë. Kjo pritet të ndodhë pas jo shumë kohësh, pasi të gjithë po largohen dhe jo vetëm të rinj, por edhe profesionistë me përvojë pune. Pritet të shohim ku do të jemi më pas