SHPERNDAJ

Amer Juka

“Madhni, Po ju shkruej kto pak rreshta me ju urue rrugen e mbarë. Më vjen keq qi po dahena – për gjithmonë ndoshta – pá ju pasë pá”. Me këto fjalë prekëse hapet letra e fundit e Musa Jukës dërguar Mbretit të tij në korrik 1955. Zogu do të nisej për në Nisë të Francës të nesërmen ndërsa ish-ministri i tij do të mbyllte sytë përgjithnjë pak muaj më vonë më 13 nëntor 1955, ora 9.30 e paradites, në Aleksandri. Ishte akti i fundit i një miqësie mbi 30-vjeçare që kishte përcaktuar fatet politike të vendit gjatë viteve 20-30’ të shekullit të kaluar.
Pesha e Musa Jukës për pushtetin e Zogut është pikasur më mirë se askush nga dinaku Enver Hoxha, i cili në Veprën I të tij flet për “regjimet e Musa Jukëve” për t’ju referuar qeverive të kohës së Monarkisë. Po kush ishte Musa efendiu? – një figurë më shumë e urryer sesa e njohur. Për armiqtë e tij, ai ishte një mjeshtër intrigash, ekspert i metodave të errëta të policisë së fshehtë, një lakmitar i pangopshëm për pushtet dhe pasuri, vegël e verbër e Zogut, një prapanik që thuhej se kishte refuzuar postin e ministrit pas vendimit të qeverisë për të ndaluar fesin turk në këmbim të kapeles alla frënga.

Ndër miqtë e tij, Musai ishte më shumë i admiruar dhe i respektuar sesa i pëlqyer. Hijerëndë, fjalëpak, i etur për kontroll, ambicioz: nuk kishte shumë veti për të qenë popullor. Ky karakter i detyrohej ndoshta një ceni fizik nga lindja. Musai kishte zgjedhur shmangien në vend të vështrimit përtallës apo mëshirues të njerëzve. I tërhequr në vetminë e tij, iu përkushtua me mish e me shpirt një synimi të vetëm: Pushteti do të ishte hakmarrja e tij kundrejt përbuzjes së botës.

Kur ngjitet në skenën politike kombëtare në 1925, Musa Juka nuk është një i panjohur. Për tetë vite ai kishte drejtuar Bashkinë e Shkodrës, asokohe qyteti më i madh i vendit dhe, në shumë drejtime, ende kryeqendra e tij. Me një zhdërvjelltësi mahnitëse kishte arritur të zgjidhet dhe rizgjidhet në detyrë gjatë tre regjimeve të ndryshme politike: nën sundimin austro-hungarez në 1916, nën administratën ndërkombëtare të guvernatorit francez Bardi de Fortou në 1920 dhe nën qeverinë shqiptare në 1922.

Pas Triumfit të Legalitetit në dhjetor 1924, për Musa Jukën fillon një ngjitje politike marramendëse. Nga 1925 deri në 1939, ai është pa dyshim politikani më i fuqishëm në Shqipëri pas Mbretit. Mban një sërë detyrash shtetërore ku spikasin posti i ministrit të Brendshëm dhe i Punëve Botore. Në 1926, pushtetit politik i shtohet fuqia pasurore. Duke përfituar nga vështirësitë në të cilat u gjend Xhelal pashë Bushati, i dëbuar nga Turqia prej Ataturkut si dhëndër i Sulltan Abdyl-Hamidit II, Juka i bleu trashëgimtarit të fundit të dinastisë bushatase një pasuri përrallore që i rreshtoi Jukejt mes bejlerëve të mëdhenj të Shqipërisë. Për armiqtë e tij që morën pushtetin nën fashizmin, Musa Juka u bë një vezir i dytë.

Ndoshta duhet shkuar deri te Bushatasit e pashallëkut autonom për të gjetur një shkodran me ndikim kaq të madh në punët e Shqipërisë. Për senatorin francez Justin Godart, në Shkodër “vetëm Musa Juka përfaqëson një forcë dhe ai është një burrë shumë i zgjuar”. Në 1927, shërbimet sekrete britanike raportonin se “nga politikanët e Tiranës, i vetmi i pajisur me çka mund të quhet staturë presidenciale, është Musa Bej Juka”. Ndërsa ambasadori amerikan në Tiranë, Herman Bernstein, e cilësonte si “ministri më me personalitet i kabinetit”.

Një poemth i mëvonshëm i bashkëshortes, Sadetes, ngjan më një apologji: “Edhe shenjt sikur të jeshë / gjithnjë kritika do të kesh”. Sigurisht Musa Juka nuk ishte një shenjt. E gjykuar me kutin e vetë Musa Jukës, vepra e tij në krye të punëve të vendit është e dyzuar. Katër fëmijëve të tij i kishte porositur që në jetë të udhëhiqeshin nga një moto: “banu m’u duk, duku sikurse je!” Musai kishte ngadhënjyer triumfalisht në pjesën e parë. Për tre dekada kishte qenë një nga burrat më të fuqishëm të Shkodrës dhe Shqipërisë. Dështimi në pjesën e dytë nuk është më pak spektakolar. Gjashtëdhjetë vite pas vdekjes, Musa Juka mbetet një enigmë: turkoman prapanik apo reformist pragmatik, zyrtar tiranik apo shtetndërtues i palodhshëm. Kush është Musa Juka i vërtetë? Ndoshta një shqiptar i kohës së tij!