SHPERNDAJ

“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnís Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajtë Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Zogu I, Mbret i Shqiptarëve, Naltmadhnia e Tij Zog I Skëndërbeu III Mbret i Shqiptarëve.

Burgajet, 8 tetor 1895 – Paris, 8 prill 1961

Më 7 prill 1939 duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria.
Më 8 prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në mërgim.
Më 2 maj 1939 familja mbretërore e shoqëruar nga tetë vetë mbërriti në Turqi, ku u prit edhe nga shqiptarët atje. Në Stamboll mbreti gjeti shumë përkrahës të tij me të cilet pati mundësi të takohej pasi turqit u ruheshin më pak italianëve sesa grekët. Për shkak të fjalëve që u përhapën në lidhje me ngjitjen sërish në fron, e kjo mund të bëhej e mundur vetëm me ndihmën e një Fuqie të Madhe, shumë shpejt ai u largua dhe nga Turqia dhe i hodhi sytë drejt Britanisë. Informoi ambasadorin n’Ankara për dëshirën e tij për t’u vendosur në Londër. Përgjigjja i erdhi në mes të qershorit pasi mbreti u zotua se nuk do të përfshihej në ndonjë aktivitet politik. Me qëllim që të shmangte një udhëtim pranë kufinjve t’Italisë ose përmes Gjermanisë, Zogu dhe suita e tij u detyruan të ndërmarrin një udhëtim të gjatë përmes Europës Lindore e Qendrore, i cili përfshiu etapa ndalesash në Rumani, Poloni, Lituani, Finlandë e Suedi.
Më 2 korrik 1939, mbërrin në Rumani ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë.
Më 15 gusht 1939, mbërrin në Paris, ku vendoset dhe merr me qira një shtëpi. Këtu vihet në kontakt me autoritet më të larta të Francës duke u kërkuar atyre leje për të ushtruar njëfarë aktiviteti politik. Kjo kërkesë iu refuzua megjithatë ai qëndroi në Francë deri në prag të pushtimit të saj nga gjermanët.

Në mesin e 1940 Mbreti Zog mbërriti në Britaninë e Madhe me eskortën e vet të përbërë nga 35 vetë, u vendos në hotelin “Ritz”. Qe mjaftueshëm aktiv në shtypin perëndimor, në të cilin numëroheshin dhjetëra intervista dhe shkrime për të në gazetat më të njohura britanike. Në një intervistë për gazetën Manchester Guardian më 12 shtator 1942, lakoi mundësinë për një Federatë Ballkanike

Më 18 mars 1946, vendoset në Egjipt mbasi merr një ftesë nga Mbreti Faruk i Egjiptit.
Në pasluftë, më 29 gusht 1955, mbërrin në Francë dhe vendoset në fillim në Paris. Më vonë në Kanë ku dhe ndërron jetë, në spitalin “Foch”, më 8 prill 1961.