SHPERNDAJ

Sot Oborri Mbretëror Shqiptar, së bashku me simpatizantet e mbretërisë, bënë homazhe përpara Mauzoleut të Familjes Mbretërore dhe kujtuan NMT Mbretin Leka i Shqiptarëve me rastin e 79 vjetorit të ditës së lindjes

“Sot ne nderojmë me respekt, mirënjohje të pakufishme, së bashku me të gjithë shqiptarët, kujtimin e NMT Mbreti Leka i Shqiptareve“ u shpreh Princ Leka duke falenderuar pjesemarrësit e shumtë

NMT Mbreti Leka i Shqiptarëve lindi më 5 Prill 1939 në Tiranë

Pas kalimit të Familjes Mbretërore në Egjipt, në vitin 1946, Princi Leka filloi studimet në kolegjin britanik “Victori Collegie” të Aleksandrisë dhe më pas në “British Boys School”, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1954. Pas transferimit të Familjes Mbretërore në Francë, në vitin 1955, Princi Leka tashmë 16 vjeçar, regjistrohet në kolegjin e famshëm “Vilare Ailange Kolegie” të Olon-it, në Zvicër, ku mori edhe diplomën “Matriculation of Oxford” në vitin 1956. Në vitet 1956-1958 Princi Leka vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sund’hurstit në Londër (Royal Military Academy), ku pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera u titullua oficer, me gradën toger. Në vijim studioi për Shkenca Politike dhe Ekonomike në “Universite De Sorbone” të Francës, ku ndoqi gjithashtu edhe kursin intensiv të gjuhëve orientale.

Më 5 Prill 1957, me rastin e 18 vjetorit të lindjes, në prani të personaliteteve më të njohura të botës shqiptare në emigracion dhe të miqve të huaj nga më të shquarit, Mbreti Zog, pasi e dekoroi personalisht me Kolanin e Shqipërisë, e shpalli solemnisht Princin Leka i Parë “Trashëgimtar të Kurorës Mbretërore Shqiptare”.

Më 15 Prill 1961, në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit, në prani të ish deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, si dhe të 70 delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë mërgata, Asambleja Provizore e mbledhur zyrtarisht, në bazë të artikujve 51 dhe 55 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, e shpalli dhe e kurorëzoi unanimisht Princin Leka si “Mbret i Shqiptarëve”. Pas kësaj, në përputhje me nenin 56 të Statutit, Sovrani i ri bëri betimin formal kushtetues si Mbret i Shqiptarëve.