SHPERNDAJ

Teksa Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka shpallur fituese kompaninë “Gjoka Konstruksion” për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, të paktën 6 oferta janë paraqitur në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për të ndërtuar nëpërmjet koncesionit PPP.

Burimet nga Ministria e Transportit bëjnë me dije se kompania Salillari ka dorëzuar një projekt-propozim për ndërtimin e autostradës, Thumanë-Vorë–Rrogozhinë, i pagëzuar si boshti i qendrës. Vlera e projektit llogaritet në 75 miliardë lekë nga të cilat, 34 miliardë lekë kushton aksi Thumanë-Vorë dhe 41 miliardë lekë të tjera Vorë-Rrogozhinë.

Projekti i kompanisë Salillari nuk kërkon financim nga buxheti i shtetit, por nëpërmjet përvetësimit të pagesës pas përfundimit. Boshti qendrës, edhe në studimet e mëparshme, është konsideruar me fizibilitet të lartë në krahasim me akset e tjera, për shkak të densitetit të lëvizjes që e justifikon pagesën.

Aksi Thumanë-Rrogozhinë është gjithashtu pjesë e Korridorit Blu, me gjatësi 64 kilometra. Ky segment paraqet rëndësi të veçantë, pasi mënjanon trafikun Jug-Veri në Qendrat kryesore, Tiranë-Durrës, duke kaluar në mes të Tiranës dhe Durrësit nga Thumana e Fushë-Krujës në Rrogozhinë, duke shmangur ndjeshëm trafikun dhe duke zvogëluar distancën. Korridori Blu është i vetmi seksion rrugor, i cili ka marrë financime nga nisma e Berlinit, që para dy vitesh kualifikoi për financime akset rrugore në vendet e rajonit që janë pjesë e procesit të integrimit.

Rreth 10 vite më parë, kompani austriake i kanë sjellë propozime konkrete qeverisë shqiptare, të cilat nuk u finalizuan, pasi atëherë nuk ekzistonte as baza ligjore për të bërë investime me Partneritet Publik-Privat./monitor/