SHPERNDAJ

Kryetari i grupit parlamentarë të LSI-së, Petrit Vasili, është prononcuar edhe në lidhje me çështjen e protestuesve të ARMO-s, të cilët nuk janë paguar për disa muaj. Protestuesit u nisën ditën e djeshme në këmbë, për të ardhur në Tiranë, për të protestuar para Ministrisë së Energjetikës lidhur me rrogat dhe sigurimet shoqërore.

Vasili e ka cilësuar këtë si një moment të dhimbshëm, duke hedhur përgjegjësinë mbi shtetin, që sipas tij, ka dalë nga shinat e qeverisjes. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Vasili shtoi se në vendin tonë veprohet me dy standarde, për miqtë e Ramës dhe për protestuesit të cilët punojnë për bukën e gojës.

“Eshtë moment i dhimbshëm për protestuesit e Naftëtarëve të ARMO-s në Ballsh. Shteti ka dalë nga shinat e qeverisjes, njerëzit duhet të dalin të protestojnë. Nuk ka respektim të ligjit, veprohet me dy standarde për miqtë e Edi Ramës dhe nga ana tjetër protestuesit që kërkojnë bukën e gojës, ata kanë punuar në uzinë, meritojnë të paguhen, por ky është shteti.

Nëse do kishte rregulla dhe ligje, nuk do detyroheshin naftëtarët të dilnin në protestë.

Ata mbijetojnë me atë rrogë, janë në vështirësi. Kjo është një qeveri e shurdhët dhe klienteliste. Siç e keni vënë re, opozita bashkë me qytetarët po kërkojnë zgjidhjen e problemeve, por shteti nuk ekziston”./konica/